Opozita: Protesta e 17 shkurtit, më masivja
Subjektet opozitare shprehen të bindura se protesta e 17 shkurtit kundër Qeverisë “Mustafa” dhe Marrëveshjes për Asociacionin si dhe asaj për Demarkacionin do të jetë edhe më masive sesa protesta e 9 janarit, e cila u konsiderua më e madhja e opozitës gjatë viteve të pasluftës në Kosovë.
Përfaqësuesit e opozitës thonë se blloku opozitar është duke zhvilluar takime me qytetarë për çdo ditë nëpër qytete dhe fshatra dhe se ka gatishmëri të lartë qytetare për të protestuar kundër Qeverisë të cilën ata e quajnë shkelëse të Kushtetutës.
Adonis Tahiri nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë se opozita e bashkuar po vazhdon me kundërshtimin e marrëveshjeve që ai i quan të dëmshme për Kosovën dhe me kundërshtimin e kësaj Qeverie, e cila, sipas tij, po cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Tahiri ka thënë për “Zërin” se opozitarët për çdo ditë po mbajnë tubime me qytetarë nëpër qytete e fshatra të Kosovës dhe se mobilizimi është shumë i madh dhe niveli i gatishmërisë së qytetarëve për të kundërshtuar këto procese dhe këtë Qeveri po rritet vazhdimisht.
“Protesta e 9 janarit ishte sinjal i qartë për Qeverinë e Kosovës. Nga takimet e tubimet e përditshme që kemi, shihet se protesta e 17 shkurtit do të jetë edhe më masive se ajo e 9 janarit. Edhe Isa Mustafa e ka kuptuar një gjë të tillë. Ai po i numëron ditët e tij të fundit në pushtet, dhe e ka të qartë që me dëmet që ia ka sjellë Kosovës, do të mbetet opozitë pas zgjedhjeve të parakohshme. Prandaj është në panik”, është shprehur Tahiri.
Edhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Alban Dermaku, ka thënë se protesta e 17 shkurtit do të jetë edhe më masive sesa ajo e 9 janarit.
“Besojmë fuqishëm se kësaj radhe protesta do të jetë edhe më e fuqishme se ajo e 9 janarit, dhe sigurisht si gjithnjë thirrjet për pjesëmarrje në protestë janë për një protestë demokratike dhe paqësore - për t’ia bërë më dije edhe një herë kësaj Qeverie se qytetarët e Kosovës nuk e kanë ndërmend ta tolerojnë një Qeveri që ka rrezikuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit. Këtë e ka dëshmuar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Dermaku.
Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani ka thënë se nuk do të duhej të protestohej në përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, megjithatë opozita, sipas tij, po mundohet që ta shfrytëzojë masën e cila në atë ditë do të jetë në Prishtinë për të festuar.
“Të gjithë e dimë se kjo datë shërben për kremtim dhe solemnitet, andaj përveç kësaj date kalendari mujor ka mjaft ditë për të protestuar. Ideja është që të shfrytëzohet masa, e masa më e madhe s’ka lidhje as nuk mund të jetë me protesta në atë ditë. Tentativa e kësaj opozite në këtë mënyrë është si pasojë e mungesës së besimit se mund të ketë protesta masive”, ka vlerësuar Burjani.