Kritikohen grafitet që fyen presidenten Jahjaga

Paraqitja e presidentes Atifete Jahjaga me veshje intime në formë grafiti, ka nxitur reagime të shumta që nga dita e shtunë.

Mbulimi i grafitit me ngjyrë të bardhë nuk mjaftoi për Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, të cilat në murin ku gjendej grafiti kanë lënë një mbishkrim  “#ME PRESIDENTEN”. Mirëpo me kaq nuk u ndalën grafitet skandaloze ndaj presidentes. Përsëri persona të panjohur kanë vizatuar të parën e shtetit po në të njëjtën mënyrë, të cilën përsëri organizata “RrGGK” e ka mbuluar. 

Drejtoresha e organizatës të rrjetit të grave Igballe Rogova, në një deklaratë është shprehur e shokuar dhe e mllefosur nga paraqitja e presidentes në mënyrë skandaloze.

“Si shoqatë kemi reaguar kundër këtij akti seksist, i cili nuk e ka përfshirë vetëm presidenten e vendit Atifete Jahjaga por që të gjitha gratë e Kosovës”, është shprehur Rogova duke shtuar se muri në të cilin ka qenë e vizatuar presidentja e kanë mbuluar me mbishkrimin “#Me Presidenten. Kundër seksizmit”.

“E kemi mbuluar murin në të cilin është paraqitur në mënyrë seksiste dhe shumë të rëndë presidentja jonë, bile edhe një vizatim tjetër të pahijshëm”, ka thënë Rogova sipas të cilës autorët e këtij akti vandal duhet të gjenden dhe të dënohen.

 “Jemi në mbështetje të presidentes dhe gjithashtu presim nga institucionet shtetërore si policia që të gjejë autorët sepse nuk është e vështirë të gjenden. Në këto lloj grafite, autorët vejnë një lloj vule apo nënshkrimi për të treguar se kush e ka bërë, nga kjo policët mund ta identifikojnë dhe ta gjejnë”, ka thënë Rogova e cila kërkon që ky akt të dënohet edhe nga qeveria.

Sipas saj e gjithë kjo ngjarje tregon se jemi një shoqëri patriarkale dhe se si trajtohen femrat, qofshin ato fytyra publike apo qytetare të thjeshta. Rugova thotë se organizata të cilën ajo e drejton, do të përkushtohet për mbrojtjen dhe të drejtat e grave, kështu duke dënuar të gjitha aktet fyese dhe seksiste.

Një reagim ndaj grafiteve seksiste kundër Presidentes Jahjaga erdhi edhe kryekuvendari Kadri Veseli. Ai tha se këto gjeste janë të huliganizmit politik dhe një abuzim me lirinë e shprehjes.

 “Ky huliganizëm grafitesh përbën sulm ndaj institucionit të presidencës, por edhe ndaj mijëra vajzave e grave të Kosovës që janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në Policinë e Kosovës, ashtu sikurse vetë Presidentja e Kosovës, Jahjaga, ka bërë dhe është duke bërë një punë dinjitoze në detyrat e saj kushtetuese, por edhe si një nga lideret e emancipimit të femrës në shoqërinë kosovare”, thuhet në reagimin e Veselit. /Zeri