Kusari-Lila: Investimet e huaja në Kosovë kalojnë 1 miliard euro

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar vizionin ekonomik të Kosovës në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), në Frankfurt të Gjermanisë, duke theksuar se investimet e huaja direkte për herë të parë kanë kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se para përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë për investime.

“Kosova është një ekonomi në zhvillim e orientuar kah e ardhmja evropiane, e gatshme të shkruajë kapitullin e radhës të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shkruar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, rrugëtimi i Kosovës nga rindërtimi i pasluftës deri te konsolidimi demokratik ka krijuar themele të forta për zhvillimin ekonomik.

“Për herë të parë, investimet e huaja direkte kanë kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh. Kemi mbi 53,000 biznese aktive dhe 426,000 vende pune të regjistruara. Sektori i TIK-ut dëshmon potencialin tonë konkurrues me rreth 400 milionë euro eksporte”, ka theksuar ajo.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se fokusi strategjik i ministrisë është orientuar drejt fuqizimit të prodhimit vendor, zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme dhe rritjes së eksporteve.

Ajo ka theksuar se Kosova u ofron investitorëve ndërkombëtarë stabilitet, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe kushte konkurruese fiskale.

“Investitorëve ndërkombëtarë u ofrojmë stabilitet, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe kushte konkurruese fiskale: tatim në fitim prej vetëm 10%, pronësi 100% të huaj, përdorim të euros dhe lehtësim të pagesave ndërkombëtare përmes integrimit në SEPA”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se Kosova renditet e pesta në botë për siguri dhe rend publik, sipas raportit të fundit të Gallup për vitin 2026.

Ajo ka folur edhe për partneritetin strategjik me Gjermaninë, duke theksuar se rreth 200 kompani me kapital gjerman operojnë në Kosovë.

“Pas suksesit të Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, prania ime në Frankfurt është vazhdimësi e angazhimit tonë për të tërhequr linja të reja prodhimi, për të krijuar partneritete të reja dhe për të integruar bizneset tona në zinxhirët evropianë të vlerës”, ka deklaruar ajo.

“Kosova është e hapur për biznes, e gatshme për partneritete afatgjata dhe e vendosur të jetë pjesë aktive e së ardhmes ekonomike të Evropës”, ka përfunduar Kusari-Lila.