Vritet me armë zjarri një person në Fier, plagoset vëllai i tij

Një person është vrarë dhe vëllai i tij ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Fier.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”. Viktima është shtetasi S. H., ndërsa vëllai i tij, J. H., ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet në flakë, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për kryerjen e krimit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon hetimet për përcaktimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. /atsh