Ibrahimoviç i konfirmon kontaktet me Kosovën, por thotë se fokusin e ka te Gjermania U21

Futbollisti i talentuar Arijon Ibrahimovic ka konfirmuar se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, duke lënë të hapur interesimin rreth mundësisë që në të ardhmen të veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës.

20-vjeçari, i cili aktualisht është pjesë e Augsburgut, ku po luan në formë huazimi nga Bayern Munichu, ka folur në një intervistë për mediumin gjerman “Spox”, ku ndër të tjera është pyetur edhe për lidhjet e tij me Kosovën dhe interesimin e federatës kosovare.

Ibrahimovic, i cili posedon edhe nënshtetësinë kosovare, ka zbuluar se kontaktet me FFK-në kanë ekzistuar tashmë, por ka theksuar se për momentin është i përqendruar te Përfaqësuesja U21 e Gjermanisë.

“Po, ka pasur tashmë kontakte me Federatën e Kosovës. E ndjek zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar me shumë respekt. Pavarësisht kësaj, fokusi im aktual është te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, për të cilën luaj me shumë kënaqësi”, ka deklaruar Ibrahimovic.

Ai ka treguar gjithashtu se lidhjet me Kosovën janë të afërta, pasi së paku një herë në vit viziton familjen e tij në vendlindjen e prindërve.

“Jam të paktën një herë në vit te familja ime në Kosovë, ndonjëherë edhe më shpesh. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka shtuar ai.

I pyetur edhe për Erblin Osmanin, talentin e Bayern Munichut që së fundmi debutoi me Kosovën si futbollisti më i ri në historinë e Kombëtares, Ibrahimovic zbuloi se e kishte uruar personalisht për këtë arritje.

“E kam uruar për debutimin dhe jam i lumtur për të. Ai e ka merituar”, u shpreh futbollisti.

Ndërkohë, Ibrahimovic po kërkon të konsolidohet në futbollin gjerman. Pas aventurave te Frosinone, Lazio dhe Heidenheim, ai iu bashkua Augsburgut në ditën e fundit të afatit kalimtar, në formë huazimi nga Bayern Munichu.

Për Kosovën, deklarata e tij është një sinjal interesant, pasi bëhet fjalë për një futbollist të ri me përvojë në Bundesligë dhe Serie A, i cili mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen e përfaqësueses, nëse vendos ta ndryshojë përfaqësimin ndërkombëtar.