Gjykata Administrative urdhëron Komunën e Vitisë ta sistemojë në punë Visar Misinin, ishte shpallur fitues i konkursit

Gjykata Administrative, me aktgjykimin e 4 nëntorit 2026, ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e Visar Misinit, duke anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), të datës 7 prill 2025.

Me këtë aktgjykim, Gjykata ka lënë në fuqi njoftimin për listën përfundimtare të kandidatit fitues, të lëshuar më 20 dhjetor 2024 nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore e Komunës së Vitisë.

Gjykata e ka detyruar Komunën e Vitisë që Misinin ta sistemojë në pozitën Zyrtar për Gjendje Civile, sipas konkursit publik të 8 nëntorit 2024, brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm. Sipas aktgjykimit, vendimi i Gjykatës zëvendëson aktet administrative të anuluara dhe ka karakter detyrues.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka vlerësuar se Misini i kishte plotësuar kriteret e konkursit. Ai kishte kaluar verifikimin paraprak, testimin me shkrim dhe intervistën me gojë, duke arritur gjithsej 87.2 pikë dhe duke u renditur i pari në listën përfundimtare të kandidatëve.

Megjithatë, pas shpalljes së tij fitues, Kryetari i Komunës së Vitisë kishte anuluar konkursin publik. KPMSHCK-ja, me vendimin e kontestuar në këtë procedurë gjyqësore, kishte anuluar vendimin e kryetarit si të kundërligjshëm, por njëkohësisht kishte anuluar edhe konkursin, me arsyetimin se Misini nuk e kishte plotësuar kriterin e një viti përvojë pune pas diplomimit.

Gjykata Administrative ka vlerësuar se ky përfundim i KPMSHCK-së ishte i gabuar. Sipas shkresave të lëndës, Misini kishte përfunduar studimet më 4 gusht 2023 dhe, pas diplomimit, kishte lidhur kontratë pune me kompaninë GLOB AUDIT SHPK, nga 2 tetori 2023 deri më 28 shkurt 2025, në cilësinë e kontabilistit. Kjo përvojë pune, sipas aktgjykimit, vërtetohej edhe përmes pasqyrës së Trustit Pensional për periudhën përkatëse.

Gjykata ka konstatuar se, edhe nëse kërkohej përvojë pune pas diplomimit, Misini e kishte përmbushur këtë kriter. Për më tepër, në konkursin publik ishte kërkuar vetëm “një vit përvojë pune”, pa u specifikuar nëse përvoja duhej të ishte fituar para apo pas diplomimit.

Në mbështetje të pretendimit të tij, Misini kishte paraqitur edhe shembuj të konkurseve të tjera të shpallura nga e njëjta komunë, në të cilat nuk ishte bërë dallimi ndërmjet përvojës së punës para dhe pas diplomimit.

Sipas aktgjykimit, KPMSHCK-ja kishte vlerësuar gabimisht gjendjen faktike dhe kishte zbatuar gabimisht të drejtën materiale, duke cenuar të drejtat e paditësit. Gjykata ka theksuar se procedurat e rekrutimit ishin zhvilluar në përputhje me Ligjin nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë dhe Rregulloren (QRK) nr. 15/2023 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Gjykata Administrative kishte mbajtur seancën e shqyrtimit kryesor më 7 tetor 2026, në prani të përfaqësuesit të paditësit, avokatit Sherif Sherifi, dhe në mungesë të përfaqësuesve të palëve të paditura.

Në bazë të këtyre gjetjeve dhe në përputhje me nenin 60 të Ligjit për Konfliktet Administrative, Gjykata ka vendosur si në dispozitivin e aktgjykimit.

Për arsyet e lartcekura, gjyqtari i çështjes, Rexhep Bllaca, në përputhje me dispozitat e nenit 60 të LKA-së, ka vendosur si në dispozitivin e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Misini kishte paraqitur padi kundër KPMSHCK-së dhe Komunës së Vitisë, duke kërkuar zgjidhjen e çështjes lidhur me mosnënshkrimin e akt-emërimit për pozitën Zyrtar për Gjendje Civile, ndonëse ishte shpallur fitues i konkursit publik.

Më 3 shkurt 2025, ai kishte ushtruar ankesë në KPMSHCK, duke pretenduar se Kryetari i Komunës së Vitisë nuk ia kishte nënshkruar kontratën e punës pas shpalljes së rezultateve të konkursit. Më 19 mars 2025, KPMSHCK-ja e kishte njoftuar se afati për vendosje ishte shtyrë për dhjetë ditë pune. Sipas padisë, edhe pas kësaj shtyrjeje, Misini nuk kishte marrë përgjigje apo vendim brenda afatit.

Në padi, ai kishte pretenduar se mungesa e përgjigjes përbënte heshtje administrative sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Sipas pretendimeve të tij, pas përfundimit të procedurës së rekrutimit dhe shpalljes së rezultateve, Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore kishte përgatitur kontratën dhe ia kishte përcjellë Kryetarit të Komunës për nënshkrim. Megjithatë, ky i fundit kishte refuzuar ta nënshkruante, me arsyetimin se e kishte anuluar konkursin, pa e njoftuar paraprakisht kandidatin për këtë vendim.

Misini kishte pretenduar se anulimi i konkursit ishte në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, pasi, sipas tij, kompetenca për procedurën e rekrutimit i takonte Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, e cila nuk kishte evidentuar shkelje në procedurë.

Nga ana tjetër, Komuna e Vitisë e kishte kundërshtuar kërkesëpadinë, duke e konsideruar të pabazuar në prova dhe në ligj. Në përgjigjen në padi, Komuna kishte pretenduar se kërkesa për konstatimin e heshtjes administrative ishte e paarsyeshme, pasi KPMSHCK-ja tashmë kishte nxjerrë vendim për çështjen.

Komuna kishte pretenduar gjithashtu se nuk kishte legjitimitet pasiv në këtë rast, pasi procedurat ishin bartur te KPMSHCK-ja, e cila kishte vendosur lidhur me ankesën. Sipas Komunës, konkursi ishte anuluar për shkak se Misini nuk i kishte plotësuar kriteret e kërkuara.

Komuna kishte kundërshtuar edhe pretendimet për diskriminim, duke argumentuar se anulimi i konkursit ishte bërë për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore dhe jo për ndonjë arsye të ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Për këtë arsye, i kishte propozuar Gjykatës që padinë ta hidhte poshtë si të palejuar ose ta refuzonte si të pabazuar.

Edhe KPMSHCK-ja, në përgjigjen e saj në padi, kishte mbrojtur vendimin e kontestuar, duke argumentuar se Misini nuk e kishte plotësuar kriterin e përvojës së punës pas diplomimit. Këshilli kishte kërkuar që Gjykata ta refuzonte padinë si të pabazuar dhe ta vërtetonte ligjshmërinë e vendimit të tij. /BetimipërDrejtësi