Kurti arsyetohet për premtimet në energji: U zbeh vala e gjelbër, luftërat ndikuan në furnizim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në Kuvend lidhur me premtimet e tij për sektorin e energjisë elektrike, duke përmendur ndryshimet në politikat globale energjetike dhe luftërat në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, si faktorë që kanë ndikuar në furnizim.
Kurti tha se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes së tij është zbehur vala e gjelbër në nivel ndërkombëtar, ndërsa konfliktet e armatosura kanë shkaktuar tronditje në tregun e energjisë.
“Në këto pesë vjet e gjysmë, ajo që kemi pasur është zbehja e valës së gjelbër, edhe në kuptimin ideologjik për gjenerimin dhe furnizimin me energji elektrike. Jo vetëm që shpërtheu lufta në Ukrainë, por ajo nuk përfundoi. Nisi edhe një tjetër në Lindjen e Mesme. Kjo, natyrisht, ka shkaktuar një tronditje të madhe, me pasoja edhe për furnizimin tek ne”, tha Kurti.
Duke folur për planet e ardhshme në sektorin e energjisë, Kurti tha se Kosova synon të vazhdojë me burimet e ripërtëritshme, por edhe të shqyrtojë mundësinë e gazifikimit të linjitit dhe shfrytëzimit të gazit të lëngshëm përmes terminalit të Vlorës.
Ai bëri të ditur se Kosova tashmë ka një marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e këtij terminali.
Kurti theksoi se Kosova ka rezerva të mëdha të qymyrit, duke pretenduar se ato renditen ndër më të mëdhatë në botë dhe në Evropë.
“Për vizionin tonë përpara, jo vetëm që kemi ritheksuar burimet e ripërtëritshme, por njëkohësisht, në zgjedhjet e fundit, kemi fituar me zotimin tonë për shqyrtimin serioz sa më parë të mundësisë për gazifikimin e linjitit, por edhe për shfrytëzimin e gazit të lëngshëm që vjen në terminalin e Vlorës”, tha ai.
“Kosova thuhet se ka prej 10 deri në 14 miliardë tonë qymyr. Këto janë rezervat e pesta më të mëdha në botë dhe të dytat në Evropë”, shtoi Kurti.
Kryeministri përmendi edhe zhvillimet në veri të Kosovës, duke i cilësuar si pozitive vendosjen e sundimit të ligjit, pagesën e energjisë elektrike dhe kontrollin e liqenit të Ujmanit.
“Ajo që ka ndryshuar prej para pesë vjetësh e gjysmë janë edhe dy zhvillime pozitive. Janë zhvillimet në veri të Kosovës, ku ka sundim të ligjit, pagesë të energjisë elektrike dhe kontroll të Liqenit të Ujmanit”, deklaroi Kurti.