Kurti pret që Apeli në vitin 2027 të korrigjojë vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti, ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë si një gjykatë të pazakonshme, monoetnike dhe me mungesë transparence.

Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se Gjykata Speciale me Dhomat e Specializuara herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar, duke vlerësuar se as termi sui generis nuk e përshkruan plotësisht natyrën e saj.

“E konsideroj se Gjykata Speciale me Dhomat e Specializuara është një gjykatë e pazakonshme, saqë edhe termi sui generis duket shumë i ngushtë. Herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar, por është një gjykatë monoetnike me mungesë transparence”, deklaroi Kurti, transmeton Zeri.info.

Ai foli edhe për nismën për miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se beson që iniciuesit e saj kanë pasur qëllim të mirë, i nxitur nga zhgënjimi me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Kurti pretendoi se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike dhe historike, ndërsa paralajmëroi se korrigjimi i tij duhet të ndodhë në shkallën e dytë të gjykimit.

Duke folur për prejardhjen e Gjykatës Speciale, Kurti iu referua pretendimeve për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve, të cilat, sipas tij, u ngritën në Këshillin e Evropës në vitin 2008 nga dy delegatë, njëri rus dhe tjetri serb.

Ai tha se këto pretendime nuk u mbështetën nga hetimet e mëvonshme dhe se nuk u përfshinë në aktakuzat e Dhomave të Specializuara.

Kurti u shpreh i bindur se aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 do të korrigjohet në procedurën e apelit.

“Jemi të bindur se korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në Apel, e kjo do të jetë diku në vitin 2027”, tha Kurti. /Zëri