Organizatat paralajmërojnë kolaps të shërbimeve sociale

Mungesa e financimit të mjaftueshëm për shërbimet sociale dhe familjare po ngre shqetësime për të ardhmen e mbështetjes ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë në Kosovë.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës kanë protestuar të mërkurën në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, duke kërkuar rritjen e mjeteve financiare për shërbimet sociale në kuadër të buxhetit të vitit 2027.

Përfaqësueset e këtyre organizatave kanë ngritur shqetësimin se ndarjet aktuale buxhetore nuk janë në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të rrezikojë funksionimin e shërbimeve për fëmijët, gratë dhe familjet në nevojë.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka deklaruar se qendrat për punë sociale po përballen me gjendje të rëndë, ndërsa organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale rrezikojnë të mbyllen, të reduktojnë aktivitetet ose të pezullojnë punën.

Shqetësuese, sipas saj, është edhe fakti se vetëm rreth dy për qind e buxhetit të mbrojtjes sociale në Kosovë ndahen për shërbimet sociale dhe familjare, ndërsa pjesa më e madhe e financimit orientohet në transfere dhe skema sociale.

Nga ana tjetër, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka theksuar se mungesa e financimit të qëndrueshëm mund t'i lërë pa mbështetje gratë që përjetojnë dhunë dhe fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje.

Ajo ka nënvizuar se gratë që raportojnë dhunën duhet të kenë qasje të menjëhershme në strehim, këshillim dhe mbështetje profesionale, në mënyrë që të mund të dalin nga situatat e dhunës dhe të rindërtojnë jetën e tyre.

Përmes protestës, KOMF-i dhe Rrjeti i Grave të Kosovës u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që gjatë shqyrtimit të Buxhetit për vitin 2027 të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për këtë sektor.

Organizatat paralajmërojnë se pa rritjen e investimeve, rreziku nuk kufizohet vetëm te institucionet dhe organizatat që ofrojnë shërbime, por prek drejtpërdrejt qytetarët që varen nga kjo mbështetje.