“Çele guri gojën” - “zhduket” Agim Ademi, asnjë fjalë për kampanjën dëshpëruese të Kosovës në Ligën e Kombeve
Agim Ademi ka dëshirë gjithmonë të jetë në qendër të vëmendjes kur ka për të prezantuar diçka.
Mirëpo kur bëhet fjalë për dështimet, ai fshihet prapa të tjerëve.
Thënia e famshme popullore “Çele guri gojën” do t’i shkonte më së shumti për shtati kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me siguri të gjithë ju po pyesni se ku është “zhdukur” i pari i futbollist kosovar.
Përse “s’po bëhet i gjallë” që prej humbjes së Kosovës nga Irlanda, pas së cilës Dardanët rrezikuan seriozisht të binin në Ligën C, por fatmirësisht qëndruan në Ligën B falë barazimit të Austrisë me Izraelin.
Por a nuk do të ishte e udhës që Ademi të dalë me një postim në rrjetet sociale dhe ta bëjë një elaborim të kësaj kampanje?
Ose-ose, a nuk do të ishte më e udhës ta japë ndonjë deklaratë për mediat e tij “të përkëdhelura”?
Nuk është mirë të shfaqesh vetëm kur është puna mirë.
Edhe në momentet më të errëta, nëse je lider i vërtetë, duhet të dalësh përpara dhe t’i tregosh arsyet e dështimit, dhe pse jo, të marrësh edhe përgjegjësi, pasi ky nuk është turp.
Ademi po mburret me prurjet e reja, por rezultatet në terren nuk janë të kënaqshme.
Pastaj fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është në gjendje të tmerrshme pasi mirëmbajtja lë për të dëshiruar.
Muajin e kaluar pati kritika nga trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ndërsa në këtë muaj pas shiut që ra, përsëri u përkeqësua gjendja e fushës.
Futbolli kosovar nuk është mirë, urojmë që të përmirësohet një ditë... /Zëri