Policia parandalon dy raste të kontrabandës në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në komunën e Leposaviqit. Gjatë kontrolleve në dy raste të ndara, policia ka gjetur cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk posedohen dokumentet përkatëse.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë ka ndodhur rreth orës 16:30, në fshatin Kamen të Leposaviqit, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar një autobus pas informacioneve të pranuara nga qytetarët për mallra të dyshimta.

“Gjatë kontrollit të autobusit, në hapësirën e bagazhit janë gjetur të fshehura dymbëdhjetë (12) paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila paketë përmbante nga 50 boksa me cigare”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, shoferi ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në Mitrovicë. Inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës kanë konstatuar se për mallrat nuk posedoheshin dokumente valide.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj shoferit është iniciuar rast penal për veprën “Tregti e ndaluar”, ndërsa lokali ku dyshohet se janë blerë cigaret do të trajtohet nga inspektorët sipas procedurave përkatëse.

Në rastin e dytë, rreth orës 20:00, policia ka ndaluar dy automjete në fshatin Mihaliq të Leposaviqit.

“Gjatë kontrollit të automjeteve janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës”, ka njoftuar Policia.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, mallrat janë proceduar në Doganën e Kosovës për trajtim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, duke u bërë thirrje qytetarëve që rastet e dyshimta t'i raportojnë në numrin 192.