Bajrami kritikon Qeverinë për energjinë: Që nga viti 2021 asnjë investim në kapacitete të reja gjeneruese

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për mungesën e investimeve në sektorin e energjisë, duke ngritur pyetjen se çfarë ka ndryshuar në këtë sektor që nga viti 2021.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Bajrami ka rikujtuar një shkrim të saj të publikuar më 8 dhjetor 2022, në të cilin kishte kritikuar vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.

Ajo ka përmendur mungesën e kontratave afatgjata për energji, dështimet në remontet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si dhe mungesën e investimeve në kapacitete të reja gjeneruese.

Bajrami ka theksuar se, ndonëse tashmë ekziston Strategjia e Energjisë, ajo nuk po zbatohet.

Sipas saj, masat emergjente për furnizim me energji elektrike do të duhej të përqendroheshin në ndërtimin urgjent të kapaciteteve të reja gjeneruese.

“Jemi vonë, por nëse kurrë nuk fillojmë, kriza do të vazhdojë të thellohet”, shkroi Bajrami.