Ambasada Amerikane në Kosovë publikon alarm sigurie, u bën thirrje qytetarëve amerikanë të jenë vigjilentë në Evropë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar të hënën një alarm sigurie, përmes të cilit u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shtojnë kujdesin dhe të jenë vigjilentë gjatë udhëtimeve në Evropë, në prag të sezonit të festave.

Alarmi, i publikuar më 16 nëntor, vlen për gjithë Evropën dhe paralajmëron për rreziqe të mundshme në tubime të mëdha dhe hapësira publike, ndërsa Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e ka publikuar sot në rrjetet sociale, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit, grupe terroriste dhe individë që veprojnë të vetëm mund të shënjestrojnë ngjarje publike, tregje festive, qendra transporti, qendra tregtare dhe objekte fetare, pa paralajmërim paraprak.

Ambasadat amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për rrethinën, të shmangin demonstratat dhe zonat me prani të shtuar policore, si dhe të përcjellin zhvillimet përmes mediave lokale.

Në njoftim përmenden edhe grevat dhe protestat, të cilat thuhet se janë shtuar muajve të fundit, si dhe kërcënimet e rreme për bomba që kanë shkaktuar ndërprerje në trafikun ajror në disa vende evropiane.

Megjithatë, alarmi nuk përmend ndonjë kërcënim konkret, qytet apo datë të caktuar për ndonjë sulm të mundshëm. Ai paraqet një paralajmërim të përgjithshëm për sigurinë gjatë sezonit të festave dhe nuk nënkupton ndryshim të nivelit zyrtar të këshillimit për udhëtime. /Zëri