KDI: 50% e qytetarëve thonë se nuk mund t’i realizojnë të drejtat në gjykata
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar rezultatet e sondazhit të opinionit publik për reformën në drejtësi në Kosovë.
Eriola Muhaxhiri, nga KDI-ja, gjatë prezantimit të rezultateve tha se qytetarët kërkojnë një sistem të drejtësisë më efikas, më të pavarur dhe me mekanizma më të fortë të llogaridhënies.
“Sa i përket pyetjes se sa të pavarur janë gjyqtarët dhe prokurorët nga ndikimet e jashtme, vetëm 8,5% e qytetarëve besojnë në pavarësinë e plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa 41% e tyre besojnë se ata janë deri diku të pavarur, ndërsa 37,3% e qytetarëve besojnë se janë deri diku ose aspak të pavarur”, tha Muhaxhiri.
Ajo bëri të ditur se rreth 51 për qind e qytetarëve besojnë se gjyqtarët përzgjidhen dhe avancohen në bazë të aftësive profesionale dhe rezultateve në punë.
“Në pyetjet se a përzgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët sipas meritës, kemi një vlerësim pozitiv meqenëse rreth 51% e qytetarëve besojnë se gjyqtarët përzgjidhen dhe avancohen mbi bazën e aftësive të tyre profesionale dhe rezultateve në punë. Mirëpo kjo dallon dhe qytetarët janë të ndarë në mendimet e tyre apo janë pak më kritikë kur bie fjala te masat disiplinore apo edhe te vlerësimi i performancës së gjyqtarëve”, deklaroi ajo.
Sipas saj, 41,4 për qind e të anketuarve vlerësojnë se performanca e gjyqtarëve vlerësohet rregullisht dhe në mënyrë të paanshme, ndërsa 38,8 për qind besojnë se ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkelin rregullat merren masa.
“Në pyetjen se a i përfundojnë gjykatat lëndët brenda një kohe të arsyeshme, kemi një numër mjaft të lartë të qytetarëve apo të anketuarve të cilët thonë se 48,4% e të anketuarve thonë se nuk përfundohen lëndët brenda një kohe të arsyeshme në gjykata”, tha Muhaxhiri.
Ajo theksoi se gjysma e qytetarëve të anketuar besojnë se nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në gjykata.
“50,6% e qytetarëve besojnë se nuk mund të realizohen të drejtat e tyre në gjykata dhe prandaj edhe nuk i drejtohen fare gjykatave”, u shpreh Muhaxhiri.
Ndërsa, sa i përket përvojës personale të qytetarëve me sistemin gjyqësor, ajo tha se 28 për qind e tyre e kanë vlerësuar përvojën si shumë të mirë ose deri diku të mirë, ndërsa 20 për qind si deri diku të keqe ose shumë të keqe.
“28% e qytetarëve kanë thënë se përvoja e tyre është shumë e mirë ose deri diku e mirë, 20% e qytetarëve kanë thënë se përvoja e tyre është deri diku keq ose shumë keq, ndërsa 47,1% e qytetarëve apo e të anketuarve tregojnë se nuk kanë pasur rast apo nuk kanë pasur lëndë që është trajtuar në gjykata”, deklaroi ajo. /EO