Ramadani: Ndalimi i tregtisë së energjisë me kompanitë serbe, perde tymi për reduktimet që mund ta presin Kosovën

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke e cilësuar atë si “dyfish të dyshimtë”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ramadani ka thënë se ky vendim, sipas tij, dëshmon se pretendimet e ngritura më herët për tregtinë e energjisë me Serbinë dhe atë që ai e quan “mafia energjetike” kanë qenë të vërteta.

Ai ka pretenduar se vendimi po përdoret edhe për të larguar vëmendjen nga ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike dhe reduktimet që, sipas tij, mund ta presin Kosovën gjatë dimrit.

“E para, po e pranojnë vetë me gojën e tyre se krejt çka kemi thënë tash e sa kohë për pazaret me rrymën e Serbisë dhe mafian energjetike ka qenë e vërtetë”, ka shkruar Ramadani.

“E dyta, po e përdorin këtë si perde tymi për t'i arsyetuar ndaljet e rrymës dhe reduktimet që po na presin këtë dimër”, ka shtuar ai.

Deputeti i Aleancës ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesën e zgjidhjeve të qëndrueshme në sektorin e energjisë, duke pretenduar se gjatë mandatit të saj janë shpenzuar miliona euro përmes kontratave dhe tregtisë së dyshimtë.

“Sot, në momentin kur skandalet po u shpërthejnë në çdo sektor dhe vendi po rrezikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike, po tentojnë ta fshehin dështimin e tyre në emër të 'patriotizmit'”, ka deklaruar Ramadani.

Në fund, ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm për paratë e shpenzuara në tregtinë e energjisë.

“Një vendim i vonuar nuk mund ta amnistojë koston e rëndë financiare që u është faturuar qytetarëve. Prandaj, duhet hetim i menjëhershëm dhe i paanshëm për të gjitha ato miliona të shpenzuara deri më sot”, ka përfunduar ai.