Marta Kos ua lë fajin muzikantëve për melodinë nacionaliste në Forumin e Zgjerimit
Një koncert, që synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane, nxiti reagime politike, pasi në të u interpretua melodia e një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Polemika bëri që komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të shprehte keqardhje për përzgjedhjen e saj.
Ngjarja ndodhi më 15 nëntor në Bruksel, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.
Gjatë koncertit, megjithatë, nuk u kënduan vargjet e këngës. U interpretua vetëm melodia, ndërsa titulli u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve.
Përfshirja e saj në një aktivitet të Komisionit Evropian nxiti reagime nga zyrtarët e Kosovës dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për mënyrën e përzgjedhjes së repertorit.
Në një prononcim për gazetarët, më 16 nëntor, pak para fillimit të Forumit, Kosi shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo, në asnjë mënyrë, nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.
Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.
“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos, raporton REL-i.
Çfarë dihet për këngën?
Kënga “Sa Kosova zora sviqe” - në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” - e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviq.
Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Veçernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.
Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.
Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” - “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.
E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.
Ajo u krijua në kohën e ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit.
Në vitin 1989, autoritetet serbe kufizuan në mënyrë drastike autonominë e Kosovës, duke përshkallëzuar represionin politik dhe institucional ndaj shqiptarëve.
Një dekadë më vonë, Kosova u përfshi në luftën e viteve 1998-1999.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.
Reagimet nga Kosova dhe Parlamenti Evropian
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e kritikoi interpretimin e melodisë, duke e lidhur përmbajtjen e këngës me periudhën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kufizonte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Ai kërkoi shpjegime nga Komisioni Evropian si për përzgjedhjen e këngës, ashtu edhe për mungesën e një ftese për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në Forum.
Edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e cilësoi të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet kushtuar zgjerimit evropian dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Sipas tij, kënga përmban pretendime politike mbi territorin e Kosovës dhe interpretimi i saj nuk mund të trajtohet thjesht si shkëmbim kulturor.
Bajrami kërkoi nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, të sqarojnë se kush e kishte përzgjedhur dhe miratuar repertorin muzikor.
Kritikave iu bashkua edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili tha se incidenti ishte ose një provokim i qëllimshëm, ose pasojë e mosdijes së organizatorëve.
Sipas Terrasit, interpretimi i një kënge që përmban pretendime mbi sovranitetin e Kosovës në një aktivitet evropian për zgjerimin, ishte i papërshtatshëm dhe kërkon shpjegim nga Komisioni Evropian.