Në Prizren u trajtuan 238 kallëzime për dhunë në familje gjatë nëntë muajve

Në Prokurorinë Themelore në Prizren është mbajtur takimi i mekanizmit koordinues me institucionet që trajtojnë rastet e dhunës në familje, ku u diskutua për koordinimin ndërinstitucional dhe mbrojtjen e viktimave.

Gjatë takimit u bë e ditur se nga janari deri në shtator të vitit 2026, në tri departamentet e Prokurorisë Themelore në Prizren janë pranuar 238 kallëzime penale ndaj 282 personave, ndërsa janë zgjidhur 258 lëndë ndaj 295 personave për raste të dhunës në familje.

“Çdo rast i dhunës në familje duhet të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe efikasitet, duke bërë edhe vlerësimin e rrezikut për secilën viktimë”, u theksua gjatë takimit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, Gjykatës Themelore në Prizren, Qendrës për Punë Sociale, Shërbimit Sprovues, Spitalit Rajonal, Mbrojtësve të Viktimave dhe organizatave joqeveritare.

Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe krijimi i strehimoreve të kategorizuara për viktimat, me hapësira të veçanta për fëmijët, personat me probleme të shëndetit mendor dhe kategori të tjera të cenueshme.

Po ashtu, u rekomandua organizimi i aktiviteteve vetëdijesuese në shkolla për parandalimin e dhunës, ndërsa Spitalit Rajonal iu kërkua që në rastet e dhunës në familje të përpilojë raporte të detajuara mjekësore për dokumentimin e dëmtimeve.