Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit viziton Serbinë

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, po qëndron në Beograd, njoftoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi.

“Presim me kënaqësi diskutime përmbajtjesore me partnerët tanë për të ardhmen e Serbisë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë e reja për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Serbi lidhur me vizitën e tij.

Ambasada nuk sqaroi se me kë do të takohet Hanrahan gjatë qëndrimit të tij në Beograd.

Përfaqësuesit e Listës Studentore – subjektit që i fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit – njoftuan më herët se do të takohen me përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësues të Ambasadës së Italisë.

Tema të diskutimit thanë se do të jenë sundimi i ligjit dhe energjetika.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë, të dëgjojmë mendime të ndryshme dhe të ndërtojmë partneritete, por vendimet për të ardhmen e Serbisë do t’i marrim në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi, duke u udhëhequr vetëm nga interesat e qytetarëve të saj. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duam partneritet, jo nënshtrim; duam bashkëpunim, jo bindje të verbër”, u tha në njoftimin e Lëvizjes Studentore.

Vizita e Hanrahanit zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik për Serbinë, e cila po përgatitet për ndërrimin e pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore fitoi 140 nga 250 vendet në Kuvend, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë, ndërsa lista e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiq mori 103 mandate.

Rezultati i dha fund sundimit shumëvjeçar të Partisë së tij Përparimtare Serbe, e cila ishte në pushtet që nga viti 2012.

Fitorja e studentëve erdhi pas një vale protestash kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.

Ndryshimi i pushtetit pritet të shënojë edhe një provë për politikën e jashtme të Serbisë, e cila gjatë udhëheqjes së Vuçiqit ka synuar të ruajë marrëdhëniet me Perëndimin, por pa hequr dorë nga lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur integrimin evropian të Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, por marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit janë ndikuar, ndër vite, edhe nga mospajtimet për politikën rajonale dhe raportet e Serbisë me Moskën. /REL