Kurti takohet me Carneyn, flasin për bashkëpunimin Kosovë–Kanada
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Kurti ka bërë të ditur se në takim kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, sigurinë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ai ka përmendur kontributin e Kanadasë për Kosovën, duke veçuar pranimin e mijëra refugjatëve kosovarë gjatë vitit 1999, pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, ndihmën për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“E falënderova për miqësinë dhe përkrahjen e Kanadasë për vendin tonë, për pranimin e mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, për pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, për kontributin në rindërtim dhe zhvillim, për njohjen e pavarësisë dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka përmendur edhe pjesëmarrjen e një delegacioni qeveritar të Kosovës në mars të këtij viti në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), në Toronto, një prej ngjarjeve më të mëdha botërore për sektorin e minierave.
“Kanadaja, shtet anëtar i NATO-s dhe i G7, është mike dhe partnere e rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta”, ka theksuar Kurti.