Presidenca sqaron tenderin për avio-bileta: Kontrata trevjeçare, vetëm bileta të kategorisë ekonomike

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet në media për procedurën e prokurimit të shërbimeve të transportit ajror, duke theksuar se tenderi është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.

Sipas sqarimit të Presidencës, ky aktivitet i prokurimit ka qenë i planifikuar paraprakisht dhe i përfshirë në Planin Vjetor të Prokurimit të institucionit.

Procedura është zhvilluar përmes tenderit të hapur, ndërsa njoftimi është publikuar në platformën e-prokurimi më 27 gusht 2026. Presidenca thekson se kjo mënyrë e prokurimit është praktikë e rregullt e institucionit, e zbatuar edhe në vitet paraprake.

Kontrata është paraparë të zgjasë 36 muaj, përkatësisht tre vjet, ndërsa kriteri i vetëm për dhënien e saj ka qenë çmimi më i ulët.

Shërbimet e përfshira në kontratë mbulojnë udhëtimet zyrtare të Presidentes dhe Kabinetit të saj, ish-presidentëve të Kosovës dhe stafit të tyre mbështetës, Këshillit Konsultativ për Komunitete, administratës së Presidencës, si dhe trupave të tjerë këshillues, komisioneve dhe ekspertëve të angazhuar për nevoja zyrtare.

Një nga pikat që Presidenca e ka veçuar në sqarimin e saj është racionalizimi i shpenzimeve publike. Sipas institucionit, për të gjitha kategoritë e përfshira në kontratë janë paraparë vetëm bileta të klasës ekonomike, pa asnjë përjashtim.

Në fund, Zyra e Presidentes ka ritheksuar përkushtimin ndaj transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të parasë publike, duke deklaruar se procedurat janë zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.