Sekuestrimi i 43 armëve të gjata automatike dhe arrestimi i shtetasit gjerman, Sveçla publikon pamjet
Një shtetas gjerman është arrestuar gjatë ditës së sotme, pasi në veturën e të njëjtit janë gjetur 43 armë të gjata automatike, shkruan Zeri.info.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ky operacion është kryer nga Departamenti i Hetimeve të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Sipas Sveçlës institucionet po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë.
Postimi i plotë i Sveçlës, pa ndërhyrje:
Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur.
Një operacion i suksesshëm Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka rezultuar me arrestimin e një shtetasi gjerman dhe sekuestrimin e 43 armëve të gjata automatike.
Institucionet tona po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë. Sundimi i ligjit nuk ka kompromis.
Do të vazhdojmë me vendosmëri në luftimin e krimit të organizuar dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. /Zëri