Arrestohet një shtetas gjerman në Kosovë, sekuestrohen 43 armë të gjata automatike

Një shtetas gjerman, me inicialet L.S., është arrestuar në Kosovë nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim të kundërligjshëm të armëve. Gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka sekuestruar 43 armë të gjata automatike.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar fillimisht në rajonin e Gjilanit, ndërsa automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm.

Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armët automatike, transmeton Zeri.info.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose materieve plasëse”.

Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve.

Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se do ta informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme, duke ruajtur integritetin e hetimit. /Zëri