Urdhër kufizues ndaj Mauro Icardit, 45 ditë pa kontakt me vajzën

Mauro Icardi po përballet me një situatë të ndërlikuar jashtë fushave të futbollit.

Sulmuesi argjentinas është përfshirë në një proces ligjor pasi Wanda Nara, ish-bashkëshortja e tij, e ka denoncuar për një incident të dyshuar dhune ndaj vajzës së tyre 11-vjeçare.

Sipas mediave, vajza i kishte dërguar nënës një mesazh shqetësues nga kompjuteri, ku shkruante: “Babi më goditi. Kam frikë”. Pas këtij mesazhi, Nara kishte lënë menjëherë xhirimet e MasterChef dhe ishte nisur drejt banesës luksoze të Icardit në Nordelta.

Si pasojë e denoncimit, gjykata ka vendosur një masë kufizuese për 45 ditë.

Ish-sulmuesit të Interit i ndalohet t'i afrohet vajzës më pak se 100 metra dhe të ketë çfarëdo kontakti me të. Icardi, ndërkohë, i ka mohuar akuzat përmes avokatëve të tij.

“Mauro Icardi nuk e ka goditur kurrë vajzën e tij”, thuhet në reagimin e ekipit të tij ligjor, i cili pretendon gjithashtu se nuk janë konstatuar lëndime te vajza dhe se nuk ka urdhërarrest ndaj futbollistit. /Zëri