SHBA-ja evakuon avionët nga një bazë në Britani, pas kërcënimit nga Irani

SHBA-ja evakuoi të hënën disa avionë amerikanë nga baza ajrore britanike “RAF Mildenhall”, pas një kërcënimi të raportuar nga Irani, njoftoi gazeta “Wall Street Journal”, transmeton Anadolu.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë ende nuk kanë sqaruar nëse kërcënimi ishte i menjëhershëm apo më i përgjithshëm. Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe zyrtarëve të njohur me situatën, dy avionë amerikanë furnizues me karburant fillimisht u devijuan drejt Gjermanisë ndërsa disa avionë të tjerë u zhvendosën më vonë në Gjermani dhe në lokacione të tjera.

Forcat Ajrore amerikane refuzuan të komentojnë lëvizjet specifike, duke shpjeguar vetëm se avionët amerikanë zhvendosen rregullisht ndërmjet bazave të ndryshme për arsye operacionale. Shtëpia e Bardhë ua drejtoi pyetjet lidhur me këtë çështje Pentagonit.

Ky zhvillim vjen pas një vendimi të ngjashëm muajin e kaluar, kur Pentagoni tërhoqi bombarduesit B-1 nga baza “RAF Fairford”, mes shqetësimeve për një komplot të dyshuar të mbështetur nga Irani, që synonte pilotët dhe avionët amerikanë përmes dronëve dhe metodave të tjera.

Irani ka paralajmëruar se çdo sulm ushtarak amerikan kundër tij mund të shkaktojë kundërpërgjigje që do të shtrihej përtej Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, drejtuesit e lartë të Kongresit amerikan përgjegjës për çështjet politike dhe të inteligjencës, të njohur si “Grupi i Tetëshes” (Gang of Eight), u informuan të hënën lidhur me kërcënimet që kanë të bëjnë me Iranin. /abcnews