SPAK-u kërkon dy vjet burg për Benet Becin
SPAK-u ka kërkuar dënimin me dy vjet burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike.
Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që dënimi me burg të konvertohet në katër vjet shërbim prove.
Kjo do të thotë se, nëse gjykata pranon kërkesën e SPAK, kryebashkiaku i Shkodrës nuk do ta vuajë dënimin në burg, por do t’i nënshtrohet shërbimit të provës për një periudhë katërvjeçare.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë dhe do të vendosë përfundimisht për çështjen.
Benet Beci prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.