Vdes ish-futbollisti dhe trajneri, Xhevat Prekazi në moshën 70-vjeçare

Xhevat Prekazi, ish-futbollisti i Partizanit dhe një prej emrave të njohur të futbollit në ish-Jugosllavi, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.

Deri më tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së ish-futbollistit, raportojnë mediumet serbe.

Prekazi u lind në vitin 1957 në Mitrovicë dhe hapat e parë në futboll i bëri te skuadra lokale Remont.

Në vitin 1974 iu bashkua akademisë së Partizanit, ndërsa vetëm dy vjet më vonë debutoi me ekipin e parë të klubit nga Beogradi.

Ai qëndroi për shtatë vite te Partizani, ku regjistroi 19 gola dhe fitoi tri tituj të kampionit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë karrierës së tij, Prekazi luajti edhe për Hajdukun e Splitit, me të cilin fitoi Kupën e ish-Jugosllavisë, si dhe për skuadrën amerikane Baltimore Blast.

Një periudhë të rëndësishme të karrierës e kaloi edhe te Galatasaray, ku qëndroi për gjashtë sezone dhe dy herë u shpall kampion i Turqisë.

Ai veshi gjithashtu fanellat e Altay dhe Bakirkoyspor, ndërsa karrierën si futbollist profesionist e përfundoi në vitin 1991 te Trudbeniku.

Pas pensionimit nga futbolli aktiv, Prekazi vazhdoi të merrej me këtë sport në rolin e trajnerit.

Ai drejtoi në dy raste skuadrën e Zeleznikut, ndërsa punoi edhe me grupmoshat e reja të OFK Beogradit, Sindjelicit dhe Partizanit.

Në vitin 2023, Prekazi kishte pësuar një goditje në tru, nga e cila kishte arritur të rikuperohej me sukses.