Arrestohen pesë persona në Prishtinë, sekuestrohen mbi 500 gramë substanca narkotike

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari që lidhen me narkotikët, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të dy veturave dhe një banese që të dyshuarit i kishin në shfrytëzim, janë gjetur dhe sekuestruar 52.93 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë dhe 517.5 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, njofton Dukagjini.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar edhe një peshore për matjen e narkotikëve, dy paketime me foli që dyshohet se shërben për paketimin e substancave narkotike, 440 euro para që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, si dhe tre telefona celularë.

Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, katër nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.