Shkollat që refuzojnë inteligjencën artificiale rrezikojnë të humbasin “Google”
“Google” ka njoftuar se shkollat në SHBA, që vendosin të mos lejojnë përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) nga nxënësit, mund të humbasin edhe aksesin në motorin e kërkimit “Google”, raportoi “The Washington Post”.
Sipas kompanisë, kjo ndodh sepse funksionet e inteligjencës artificiale, janë tashmë të integruara në motorin e kërkimit dhe nuk mund të ndahen plotësisht prej tij.
Kompania njoftoi se do të çaktivizojë automatikisht funksionet e inteligjencës artificiale në llogaritë e nxënësve të arsimit parauniversitar (K-12), përveç rasteve kur drejtuesit e shkollave japin miratimin e tyre.
Megjithatë, vendimi shoqërohet me një kusht, shkollat që zgjedhin të mos lejojnë përdorimin e inteligjencës artificiale, do të humbasin gjithashtu aksesin në motorin e kërkimit “Google”.
Sipas Chris Phillips, nënkryetar i “Google” për arsimin, shërbimi i kërkimit dhe inteligjenca artificiale janë tashmë të ndërthurura ngushtë, duke e bërë të pamundur ofrimin e një versioni të “Google Search” plotësisht, pa funksione të IA-së.
Nëse një shkollë vendos të ndalojë përdorimin e inteligjencës artificiale, nxënësit nuk do të mund të përdorin as motorin e kërkimit dhe do të shohin një njoftim nga shkolla, që u tregon se shërbimi nuk është i disponueshëm.
Ndryshimet përfshijnë edhe shërbimet “Gemini”, “Gemini Notebook” dhe “Gemini” në “Google Classroom”, platforma që përdoret nga mësuesit dhe nxënësit, për organizimin e detyrave, materialeve mësimore dhe komunikimin në klasë.
“Google” tha se po u jep shkollave më shumë kontroll mbi përdorimin e këtyre teknologjive, pas shqetësimeve të ngritura nga mësuesit, prindërit dhe ekspertët, për ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor.
Kompania synon gjithashtu, të përfshijë në motorin e kërkimit një funksion të ri të quajtur “Guided Learning” (Të nxënit e udhëzuar).
Ky funksion do t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë dhe zgjidhin problemet hap pas hapi, në vend që t’u japë menjëherë përgjigjen e gatshme.
Për shembull, kur një nxënës kërkon ndihmë për një problem matematike ose për përgatitjen e një detyre, sistemi do ta udhëzojë përmes pyetjeve dhe shpjegimeve, duke e nxitur të arsyetojë vetë.
“Google” planifikon të nisë testimin e këtij funksioni, në disa shkolla amerikane dhe më pas ta zgjerojë përdorimin e tij.
Debati vjen në një kohë kur disa prej sistemeve më të mëdha shkollore në SHBA, po shqyrtojnë kufizime për përdorimin e inteligjencës artificiale nga nxënësit.
Nju Jorku dhe Los Anxhelesi kanë vendosur masa të përkohshme kufizuese, për përdorimin e IA-së gjeneruese në shkollat fillore dhe ato të ciklit të ulët, ndërsa po vlerësojnë ndikimin e saj në sigurinë dhe edukimin e fëmijëve.
“Google” tha se ndryshimet do të fillojnë të zbatohen në fillim të vitit të ardhshëm, duke u dhënë shkollave kohë për të përcaktuar se cilat shërbime do të lejojnë për nxënësit.
Sipas kompanisë, rreth 150 milionë nxënës dhe mësues në mbarë botën përdorin platformën “Google Classroom”. /atsh