Tërnava takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë për vrasjet e grave në Kosovë
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishin edhe rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë dhe nevoja për angazhim të përbashkët institucional e shoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Myftiu Tërnava e njoftoi ambasadorin për angazhimin e Bashkësisë Islame në këtë drejtim, duke theksuar rolin e institucioneve fetare në edukimin, vetëdijesimin dhe promovimin e respektit për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Ai theksoi se luftimi i dhunës ndaj grave kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe faktorëve shoqërorë, me qëllim të ndërtimit të një shoqërie më të sigurt dhe me më shumë respekt.
Ndërkaq, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, vlerësoi takimin dhe shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.