FEG: Ligji i Punës po diskriminon gratë, sektori privat duhet të lirohet nga barra e pagesës së lehonisë
Forumi Ekonomik i Grave në Kosovë (FEG) ka vlerësuar se Ligji i Punës, i cili është në fuqi që nga viti 2012, ka ndikuar në diskriminimin e grave në punësim, ndërsa ka kërkuar reformimin e tij dhe bartjen e përgjegjësisë për pagesën e pushimit të lehonisë nga sektori privat te Qeveria.
Koordinatorja e këtij Forumi, Saxhide Mustafa ka theksuar se modeli aktual i pagesës së lehonisë rëndon bizneset dhe mund të ndikojë në punësimin dhe avancimin e grave, veçanërisht në sektorin privat.
Ajo ka thënë se gratë përballen me diskriminim që nga procesi i punësimit, përfshirë pyetjet për planifikimin familjar gjatë intervistave të punës, ndërsa pas kthimit nga pushimi i lehonisë shpesh trajtohen si më pak të përkushtuara në punë.
“Ligji i punës që nga viti 2012, ky ligj aktual i punës që është, ka qenë diskriminues në punësimin e grave. Për këtë arsye, Kosova është një prej vendeve me punësimin më të ulët në Evropë. Ky fakt neve na tregon që ato, pavarësisht edukimit apo politikave që i ka marrë qeveria në edukimin e vajzave dhe grave, më shumë në Kosovë, kur kemi ardhur në tregun e punës, tregu i punës nuk ka pasur politika, domethënë që ato i ka inkurajuar me hy në tregun e punës dhe me mbajtur vendin e punës”, tha ajo.
Mustafa ka përmendur edhe pyetjet diskriminuese që, sipas saj, u bëhen grave të reja gjatë intervistave të punës, lidhur me planet për krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve.
“Një prej formave diskriminuese që gratë e reja, sidomos gratë e reja, vajzat e reja në moshë produktive e kanë pasur, është çështja e pyetjes në intervista pune se si e mendoni planifikimin tuaj familjar? Domethënë, ‘A keni me lindë, ose kur keni me shku?’ Prandaj, kjo ka dalë vazhdimisht, domethënë për mbi një dekadë, si një prej pyetjeve më të shpeshta që atyre u është bërë, edhe pyetjeve diskriminuese. Pasi që ato e kanë lindur fëmijën, kur janë kthyer në vendin e punës, janë parë si të padobishme në vendin e punës, për arsye se koncentrimi i tyre nuk ka qenë 100% në vendin e punës, po te fëmijët. Dhe kjo ka ndikuar që ato të mos avancohen në pozita menaxheriale ose në pozita më të larta, dhe kryesisht janë diskriminuar në pagë. Kanë mundur me bërë punën e njëjtë sikurse një mashkull, por janë paguar më pak, për shkak se janë parë jo 100% angazhimi i tyre në vendin, në vendin e punës”, tha ajo.
Sa i përket financimit të pushimit të lehonisë, Mustafa ka thënë se Forumi Ekonomik i Grave propozon që pagesa aktuale, e cila mbulohet nga sektori privat, të bartet te Qeveria, duke argumentuar se kjo do të krijonte një ndarje më të drejtë të barrës financiare.
“Njëkohësisht ne e kemi diskutuar edhe këtë, se pagesa e lejes së lehonisë e ka rënduar sektorin privat. Ne po kërkojmë që sektori privat të lirohet nga kjo barrë. Forumi Ekonomik i Grave ka propozuar një model që aktualisht pagesën që e paguan sektori privat me e kalu te qeveria, dhe i ka parë modalitetet e kostove. Aktualisht, sipas masës 3.5, Kosova paguan, e ka koston më të madhe të pagesës për gratë që nuk punojnë, ne nuk jemi kundër absolut, se është politikë me stimulu natalitetin, mirëpo është barrë ndaj taksapaguesve të cilët punojnë, edhe barra, pagesa e atyre është më e ulët. Kjo do duhej të ishte e kundërta, sepse sa më shumë që kemi punësim të grave, domethënë, më shumë përfiton arka e shtetit. Ne kërkojmë reformim, ky ligj duhet me pas reforma, edhe barra e reformave nuk është e vetëm një institucioni, nuk është as veç e qeverisë, po duhet të jetë e përbashkët e sektorit privat dhe e punëmarrësve”, tha ajo.
Mustafa ka vlerësuar se punësimi i grave në dekadën e fundit ka mbetur në nivele të ulëta, ndërsa ka kërkuar që masat qeveritare për nxitjen e punësimit të bazohen në evidencë dhe të analizohen para zbatimit.
“Nëse e marrim në dekadën e fundit, punësimi i grave ka qenë njëshifror, nuk mund të themi se ka pasur shumë punësim të madh. Andaj edhe normal, themi se viteve të fundit ka pasur disa masa që i ka ndërmarrë qeveria, si subvencionimin e pagës ose superpuna, e cila është duke u përcjellë me probleme të shumta, punëdhënësit apo punëmarrës nuk kanë përfituar nga superpuna, domethënë, ka probleme edhe në atë aspekt, po unë shpresoj që qeveria i ka analizuar të gjitha dhe në masat e ardhshme duhet të jetë më e kujdesshme, sepse thirrja jonë është gjithmonë që politika të cilat i ndërmerr qeveria duhet me qenë të bazuara në evidencë. Politikat kur nuk janë të bazuara në evidencë, ato nuk janë të qëndrueshme. Dhe ne, domethënë si shoqëri, nuk e kemi luksin 26 vjet mbas luftës të marrim politika të përshpejtuara, të paqëndrueshme. Neve na duhet një treg stabil, për arsye me i mbajtur punëtorët brenda vendit, domethënë mos me na ik punëtorët”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar rritjen e pagave dhe krijimin e politikave që mundësojnë një ndarje më të barabartë të përgjegjësive familjare mes grave dhe burrave, përfshirë avancimin e pushimit prindëror.
“Duhet t’i rrisim pagat, të krijojmë politika, pushim të avancuar, të rriturit sot kërkojnë pushimin prindëror, kanë mendësi tjetër, mendësi më demokratike, për arsye se jetojnë vetë, edhe e kërkojnë që përgjegjësitë në familje midis burrit dhe gruas të jenë më të balancuara. Andaj edhe modeli që Forumi Ekonomik i Grave e ka, pikërisht këtë tendencë për shkak të hulumtimeve që i kemi bërë si organizatë”, tha ajo./EO