Për shtatë muaj, Qeveria shpenzoi vetëm 30% të buxhetit për investime kapitale

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro të planifikuara për investime kapitale gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, deri në fund të shtatorit është realizuar vetëm 30 për qind e buxhetit për investime kapitale, ndërsa 525.4 milionë euro kanë mbetur të pashpenzuara.

Në njoftimin e publikuar, GAP thekson se shpenzimet e realizuara përbëjnë vetëm një pjesë të buxhetit të planifikuar.

“Qeveria Qendrore e Kosovës ka shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro nga 750.9 milionë euro të buxhetit për investime kapitale, pra 30% të buxhetit”, thuhet në njoftimin e Institutit GAP.

Sipas GAP-it, investimet kapitale përfshijnë projekte në rrugë, shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër që synojnë zhvillimin ekonomik.

Instituti ka sqaruar gjithashtu se infografika paraqet vetëm realizimin e investimeve nga Qeveria Qendrore, pasi investimet kapitale në nivel lokal nuk pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen e përgjithshme.

“Një pjesë e madhe e buxhetit të kapitalëve është duke u përdorur për të paguar obligime gjyqësore (përfshirë edhe ato për kontratat kolektive)”, thuhet në sqarimin e GAP-it.

Në të dhënat e publikuara shihet se për vitin 2026 janë planifikuar 750.9 milionë euro për investime kapitale, por deri në fund të shtatorit janë shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro.

GAP ka bërë të ditur se në këto të dhëna nuk përfshihen as investimet kapitale nga grantet e përcaktuara të donatorëve.