Gjykimi në mungesë ndaj 20 të akuzuarve për krime lufte, seanca caktohet për më 21 dhjetor
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj 20 të pandehurve, të akuzuar për veprën penale të “Krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, çështja penale lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026.
Të pandehurit, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, do të gjykohen në mungesë, pasi kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes komunikatës, Gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve të paraqiten para organeve të drejtësisë së Kosovës. Po ashtu, u ka kërkuar të gjithë personave që kanë informacione relevante për vendndodhjen e tyre, që t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose tek organet e tjera kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar për më 21 dhjetor, në orën 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Trupin gjykues do ta kryesojë gjyqtari Leon Përlaska.