OEK-u dhe GIZ-i diskutojnë për themelimin e qendrës për biznes të përgjegjshëm në Kosovë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me GIZ-in, ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të organizatave donatore, partnerëve zhvillimorë dhe institucioneve publike, për të diskutuar themelimin e Responsible Business Hub (RBH) Kosovo.
Në takim u prezantuan përvojat ndërkombëtare dhe mundësitë për përshtatjen e praktikave të biznesit të përgjegjshëm me nevojat e kompanive në Kosovë. Diskutimet u përqendruan në mbështetjen e sektorit privat për përmbushjen e standardeve dhe kërkesave ndërkombëtare, duke përfshirë HREDD, ESG dhe CBAM.
Përmes themelimit të kësaj qendre, OEK-ja synon t’i ndihmojë bizneset vendore të përshtaten me kërkesat e tregut evropian, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të forcojnë kapacitetet për zhvillim të përgjegjshëm, të gjelbër dhe të qëndrueshëm.
OEK-u ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët zhvillimorë dhe institucionet për të krijuar mundësi të reja për bizneset kosovare dhe për të mbështetur integrimin e tyre në tregjet evropiane.