Vrasja e Arlinda Zekajt, reagon ambasada gjermane: Të mbrohen gratë në rrezik
Ambasada gjermane në Prishtinë tha se janë “thellësisht të pikëlluar” për vrasjen tragjike të Arlindaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna dhe kjo e drejtë duhet të garantohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”.
Duke shprehur ngushëllime për familjen e të dashurit e saj, ambasada theksoi se grave që janë në rrezik duhet t’iu ofrohet siguri e mbrojtje.
“Kjo tragjedi e dhimbshme shërben si një kujtesë e fortë se femicidi nuk është një rast i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore, si manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj grave, që kërkon një reagim të vazhdueshëm dhe të koordinuar. Garantimi i sigurisë dhe mbrojtjes së grave në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masat efektive parandaluese, veprimet institucionale në kohë dhe shërbimet mbështetëse të qasshme”.
Ambasada kujtoi se Kosova është palë në Konventën e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“U bëjmë thirrje të gjithë akterëve përkatës që të vazhdojnë t’i forcojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe kultivimin e një kulture në të cilën dhuna as nuk tolerohet dhe as nuk shpërfillet”.