EULEX-i del me reagim pas vrasjes makabre të Arlinda Zekajt

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka dënuar fuqishëm vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.Në një reagim publik, EULEX-i ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe të gjithë ata që po e përjetojnë humbjen e saj.

“Femicidi është manifestimi më ekstrem i dhunës me bazë gjinore dhe një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të grave”, thuhet në reagimin e misionit evropian.

EULEX-i ka theksuar se asnjë grua apo vajzë nuk duhet të jetojë me frikën nga dhuna dhe se çdo grua që kërkon ndihmë dhe mbrojtje duhet të ketë qasje në mbështetjen dhe mekanizmat e nevojshëm të sigurisë.

Misioni ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet e Kosovës në parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në rrezik, si dhe forcimin e qasjes në drejtësi për viktimat.

Sipas EULEX-it, për parandalimin e femicidit nevojitet përgjegjësi e përbashkët, bashkëpunim dhe veprim i vazhdueshëm nga institucionet, shoqëria civile dhe komunitetet.

Në fund, misioni ka bërë të ditur se po e monitoron nga afër rastin dhe do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet përkatëse në përpjekjet e tyre.