Hansi Flick e zbulon arsyen e zëvendësimit të Raphinhas në El Clasico
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka zbuluar se ylli i ekipit, Raphinha kërkoi vetë të zëvendësohej në minutat e fundit të El Clásicos, pak para se Real Madridi ta shënonte golin e fitores.
Braziliani ishte i rraskapitur fizikisht pas problemeve që kishte pasur me lëndimin e fundit.
Barcelona pësoi humbje 1-2 nga Real Madridi në një El Clásico dramatik, ku goli vendimtar i Kylian Mbappés erdhi në minutën e 87-të, vetëm pak çaste pas largimit të Raphinhas nga fusha.
Zëvendësimi i brazilianit ngjalli diskutime, por trajneri Hansi Flick sqaroi se nuk bëhej fjalë për një vendim të zakonshëm taktik.
Sulmuesi kishte probleme fizike dhe nuk mund ta vazhdonte ndeshjen.
Flick e kishte një plan tjetër për minutat e fundit
Trajneri gjerman kishte menduar ta vendoste Raphinhan në një rol më qendror, pas sulmuesve, për ta shtuar presionin ndaj mbrojtjes madrilene në fund të takimit.
Megjithatë, plani ndryshoi kur braziliani i komunikoi stafit teknik se duhej të largohej nga fusha.
“Donim t’i luanim minutat e fundit me Raphinhan si mesfushor ofensiv, por ai na kërkoi të zëvendësohej”, shpjegoi Flick pas ndeshjes.
Lëndimi ndikoi në gjendjen e brazilianit
Raphinha kishte pasur probleme fizike gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e Brazilit dhe, sipas Flickut, nuk e kishte më energjinë e nevojshme për ta përfunduar takimin.
Barcelona do ta përcjellë nga afër gjendjen e sulmuesit, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës këtë sezon.
Pavarësisht humbjes, Raphinha ishte ndër lojtarët më të mirë të Barcelonës në El Clásico. Ai shënoi golin e barazimit në minutën e 61-të, por në fund skuadra katalanase mbeti pa pikë pas dy golave të Mbappés.