Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot në orën 16:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ku LVV-ja do të propozojë formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësitë në të gjitha hallkat institucionale.
Nagavci ka thënë se të gjithë personat që kanë përgjegjësi për mosreagimin ndaj kërkesave të Zekajt për drejtësi dhe siguri duhet të mbajnë përgjegjësi, duke theksuar se hetimi parlamentar synon edhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
“Përveç kësaj, më lejoni që të adresohem shkurtimisht për shkak se keni pasur interesim disa prej jush për rastin e fundit tragjik të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj në Vitomericë të Pejës, për çka jo vetëm se e dënojmë, por besojmë si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si deputet, si qytetar, që çdokush që ka qenë në zinxhirin, pra udhëheqës, secili që është përgjegjës për mospërgjegjjen ndaj kërkesës së Arlindës për drejtësi dhe për siguri, duhet të jetë përgjegjës. Në këtë drejtim kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për sot në ora 16:00, ku do të propozojmë, përveç të tjerash, edhe formimin e një komisioni hetimor parlamentar që duhet të shqyrtojë dhe të hetojë në të gjitha hallkat personat përgjegjës, jo vetëm për të adresuar më të drejtë rastin tragjik, gjithësisht rastin kriminal të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj, por mbi të gjitha edhe për parandalimin e rasteve të tilla në të ngjashme. Janë raste të shumta të njëpasnjëshme që po na trondisin si shoqëri”, tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ndërkaq, Nagavci ka bërë të ditur se seanca e radhës e Kuvendit është caktuar për të enjten, më 26 tetor, në orën 10:00, ku ndër pikat e rendit të ditës do të jenë shqyrtimi në lexim të dytë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të Buxhetit dhe Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Seanca e radhës u vendos që të mbahet në ditën e enjte me datën 26 tetor, me fillim në orën 10:00, ku përveç pikave të zakonshme që janë deklarimi, jashtë rendit të ditës, debati parlamentar, edhe pyetjet parlamentare, do të shqyrtohet në lexim të dytë edhe projektligjin për plotësim ndryshimin e ligjit të buxhetit. Dhe po ashtu do të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë pa justifikueshme, i cili ka kaluar të gjitha procedurat në komisionet parlamentare”, tha ajo.