Për 10 muaj, 319 operime me kancer të gjirit, veç 13 rikonstruktime në QKUK

Për gati 10 muaj, u kryen 710 intervenime të gjirit në Kirurgjinë Torakale në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës.

Por nga to, një numër goxha i madh qe në rastet me kancer të gjirit.

“Në qoftë se i marrim si total atëherë numri i ndërhyrjeve kirurgjike në gji brenda këtij viti ka qenë 710 raste por nga to 319 raste kanë rezultuar me kancer të gjiri, domethënë këto rastet tjera kanë të bëjnë më ndërhyrje me gjilpërë në sallën e vogël kurse salla e madhe me biopsi eksocionale”, ka theksuar Nazmi Kolgeci, drejtori i Kirurgjisë Torakale.

Kolgeci tregon edhe nëse ka rritje të rasteve me kancer të gjirit krahasuar me vitin që shkoi.

‘Në qoftë se i referohemi statistikave tona që i kemi ne në vitin 2025 dhe 2026 unë them se janë të ngjashme por kur e kemi parasysh që numri i popullsisë në Kosovë është në rënie dhe numri i rasteve me kancer të gjirit është i njejtë atëherë do të thotë që karcenoma e gjirit jo vetëm që s’është duke ra por përkundrazi ka një indikacion në rritje”, ka deklaruar ai.

Por, krejt ndryshe janë statistikat për rikonstruktimin e gjirit.

“Ne kemi pas një numër relativisht të vogël nga pritjet që kemi pas edhe përkundër përpjekeve dhe thirrjeve që bëjmë për rikonstruksione, ne kemi pas 13 raste sivjet, 80 i kemi bërë prej se kemi fillu dhe suksesi është shumë i madh”, ka deklaruar Ylber Zenjullahu, kirurg plastik.

Varet nga intervenimi por rikonstruktimi i gjirit në sektorin privat arrin deri në mbi 3 mijë euro./Dukagjini