Avokati serb u bën thirrje Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës të hetojnë dyshimet për blerje votash nga partia e Vuçiqit

Avokati i njohur serb, Çedomir Stojkoviq, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës që të nisin hetime lidhur me dyshimet për blerje votash nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit.

Thirrja e tij vjen pas raportimeve se partia e Vuçiqit dyshohet se ka paguar nga 100 euro votues serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të votuar në favor të SNS-së.Stojkoviq ka kërkuar që institucionet e tri vendeve fqinje të Serbisë të hetojnë nëse qytetarë serbë që jetojnë në territoret e tyre janë përfshirë në skema të organizuara të blerjes së votave dhe transportimit të votuesve drejt Serbisë.

“Sa po u paguan Vuçiq serbëve nga këto vende për të udhëtuar drejt Serbisë dhe për të votuar për SNS-në? Kush po i paguan këta autobusë, me çfarë fondesh dhe nga vijnë ato? Nëpërmjet kujt po shpërndahen këto para? Cilët ndërmjetës janë të përfshirë dhe a janë këta ndërmjetës politikanë nga shtetet përkatëse?”, ka pyetur Stojkoviq.

Avokati serb ka ngritur gjithashtu dyshime për origjinën e mjeteve financiare që mund të jenë përdorur për këto aktivitete, duke kërkuar të hetohet nëse ato burojnë nga fondet publike apo nga rrjete të krimit të organizuar.

“Cili është burimi i këtyre parave? A bëhet fjalë për fonde të vjedhura nga qytetarët e Serbisë, apo ato vijnë nga kartelet e drogës – kartele të cilat, sipas komunikimeve në ‘Sky’, bashkëpunojnë me strukturat politike të Vuçiqit?”, ka deklaruar ai.

Sipas Stojkoviqit, nisja e hetimeve nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina do të kontribuonte në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në zbardhjen e dyshimeve për manipulime zgjedhore.

Ai ka pretenduar se hetime të tilla pengohen nga Vuçiqi brenda Serbisë, prandaj ka kërkuar angazhimin e institucioneve të vendeve fqinje.

“Qytetarët e Serbisë do të ishin mirënjohës të mësonin – dhe të shihnin prova – se si po shpenzohen këto fonde të keqpërdorura, si dhe në çfarë mase janë të përfshira kartelet e drogës në manipulimet zgjedhore përmes blerjes së votave në vende të tjera”, ka theksuar Stojkoviq.Ai ka kërkuar gjithashtu identifikimin e personave që mund të jenë përfshirë në organizimin e transportit të votuesve, shpërndarjen e parave dhe ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve për të votuar.

“Është me rëndësi të veçantë për ne të identifikojmë se cilët serbë nga këto vende janë të përfshirë në detyrim zgjedhor, korrupsion dhe manipulim – pasi çdo veprim i tillë përbën një sulm ndaj qytetarëve të Serbisë”, ka deklaruar ai.

Stojkoviq ka përfunduar duke theksuar se veprimet e dyshuara mund të përbëjnë vepra penale edhe në vendet ku pretendohet se janë organizuar.

“Për më tepër, veprime të tilla janë të dënueshme si vepra penale edhe në vendet tuaja! Presim me padurim rezultatet e hetimeve tuaja”, ka përfunduar avokati serb.

Pretendimet për pagesat ndaj votuesve dhe përfshirjen e mundshme të rrjeteve kriminale mbeten akuza që kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente. /geopost