Tensione dhe pasiguri në Serbi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Serbia ndodhet në një klimë të tensionuar politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën. Gara kryesore zhvillohet mes listës së udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, dhe listës studentore “Studentët për Fitoren”. Sondazhet e fundit paraqesin një garë të ngushtë, ndërsa rezultati pritet të ndikojë ndjeshëm në drejtimin politik të vendit.

Heshtja zgjedhore, e cila nisi në mesnatën mes së enjtes dhe së premtes, po shoqërohet me akuza të ndërsjella, mobilizim të votuesve në rrjetet sociale dhe shqetësime për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Mbi 16 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë pritet të monitorojnë zgjedhjet.

Gjatë ditëve të fundit, mediat proqeveritare kanë drejtuar akuza ndaj mediave të pavarura, duke i akuzuar për sulme ndaj Vuçiqit dhe familjes së tij. Në të njëjtën kohë, mbështetësit e listës studentore po intensifikojnë thirrjet për pjesëmarrje masive në votime përmes rrjeteve sociale.

Portali Nova.rs njoftoi se ishte bërë objekt i sulmeve masive nga llogari të automatizuara, të njohura si bot-e. Sipas redaksisë, numri i ndjekësve ishte rritur me rreth 15 mijë brenda vetëm gjysmë ore, një zhvillim që ngriti shqetësime për përpjekje të mundshme për të dëmtuar praninë e medias në rrjetet sociale.

“Ky është një model sulmesh ndaj të cilit shumë media dhe organizata të pavarura në Serbi u ekspozuan në periudhën e mëparshme”, thuhet në reagimin e Nova.

Portali theksoi se sulmet janë veçanërisht shqetësuese, pasi ndodhin një ditë para zgjedhjeve, kur qytetarët kanë nevojë për qasje në informacione të besueshme dhe të pavarura.

Federata e Sindikatave të Lira të Serbisë u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë e qytetarëve, paanshmërinë e institucioneve dhe respektimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor.

Shqetësime janë ngritur edhe për mundësinë e presionit ndaj studentëve, profesorëve dhe pjesëtarëve të komunitetit akademik. Qendra Akademike e Krizave ka njoftuar se do të ofrojë mbështetje për personat që mund të përballen me presion, dhunë policore ose arrestime.

Ndërkohë, analisti politik Dejan Luçiq është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të “shkaktimit të panikut dhe çrregullimit”. Sipas Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ai dyshohet se kishte publikuar në TikTok një video me pretendime për manipulime të mundshme zgjedhore dhe reagimin e institucioneve të sigurisë.

Një garë e ngushtë dhe shumë votues të pavendosur

Sipas të dhënave të përmendura në raportimet e mediave, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit ende nuk ka vendosur se për kë do të votojë. Në një sondazh, 18,3 për qind e të anketuarve nuk kanë deklaruar preferencën e tyre ose nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në votime.

Lista studentore synon të përfitojë nga pakënaqësia qytetare, e cila është shprehur përmes protestave gjatë dy viteve të fundit. Ajo garon me 250 kandidatë, mes tyre profesorë, shkencëtarë, mjekë dhe përfaqësues të kulturës, sportit e aktivizmit qytetar.

Nga ana tjetër, Vuçiq mbështetet te struktura e organizuar e Partisë Progresive Serbe dhe te një elektorat tradicionalisht i konsoliduar, veçanërisht në mesin e pensionistëve, banorëve të zonave rurale dhe punonjësve të sektorit publik.

Lista studentore ka shmangur disa tema të ndjeshme të politikës së jashtme, përfshirë Kosovën dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke argumentuar se vendimet strategjike duhet t'i lihen institucioneve të zgjedhura në kushte demokratike. Ajo propozon krijimin e një qeverie profesionale kalimtare me mandat të kufizuar.

Votimi dhe pritshmëritë për rezultatet

Qendrat e votimit në Serbi do të hapen të dielën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Sipas raportimeve paraprake, në vend janë gjithsej 8.210 qendra votimi.

Rezultatet e para paraprake priten gjatë natës pas votimit, ndërsa të dhënat zyrtare më të plota mund të bëhen të ditura në orët e para të së hënës.

Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të polarizuar, ku përplasja mes pushtetit dhe lëvizjes studentore ka marrë përmasa më të gjera se një garë e zakonshme parlamentare. Përballë mbështetjes së konsoliduar të Vuçiqit dhe pakënaqësisë së mobilizuar nga protestat, pjesëmarrja e votuesve dhe besueshmëria e procesit zgjedhor pritet të jenë faktorë vendimtarë./RTK