Mbi 6 orë trazira, protesta e 12-të mbyllet me dhunë, ja çfarë ndodhi në rrugët e Tiranës
Kryeqyteti u përfshi për më shumë se 6 orë nga një protestë e dhunshme, e cila kulmoi me përplasje fizike, dëmtime të pronës publike e private dhe përdorim të mjeteve të rrezikshme.
Situata më e tensionuar u regjistrua në Sheshin “Skënderbej”, pranë godinës së Parlamentit në rrugën “George W. Bush”, si dhe gjatë marshimeve në akset “Myslym Shyri”, Rruga e Kavajës dhe “Vasil Shanto”. Protestuesit e maskuar përdorën bomba Molotov, lëndë piroteknike, gurë, shufra dhe lazerë shpërqendrues, ndërsa Policia e Shtetit u kundërpërgjigj me ujë me presion, plumba gome dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat e dhunshme.
Gjatë lëvizjes së protestuesve, u regjistruan dëme të konsiderueshme materiale në disa pika kyçe të Tiranës.
Institucionet shtetërore
U sulmua me bomba Molotov Ministria e Mjedisit dhe Teatri i Kukullave, duke shkaktuar zjarre. Te Banka e Shqipërisë u thyen me kangjella metalike xhamat e kabinës së rojes dhe kamerat e sigurisë.
Prona private dhe infrastruktura urbane
Protestuesit thyen fasadat e xhamit të një filiali banke te Rruga e Kavajës dhe të një dyqani të operatorëve celularë te “Vasil Shanto”. Gjithashtu, u dogjën një kioskë në qendër, një stacion urban dhe dhjetëra kosha mbeturinash përgjatë rrugëve.
Bilanci mjekësor i trazirave, i përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shënoi 13 persona të lënduar deri në orën 19:45, mes të cilëve protestues, efektivë policie dhe përfaqësues të medias. Të lënduarit morën trajtim në Spitalin e Traumës, QSUT dhe Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2. Shumica u larguan pas ndihmës së parë, ndërsa disa protestues, përfshirë njërin me dëmtim në sy, mbetën nën ekzaminime të mëtejshme mjekësore.
Përshkallëzimi i situatës ishte paralajmëruar nga autoritetet ligjzbatuese që në orët e paradites. Zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit kishin konstatuar thirrje për dhunë në rrjetet sociale, duke u bërë apel qytetarëve dhe prindërve të distancoheshin nga personat e maskuar.
Për të adresuar përgjegjësitë, Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se strukturat po përpunojnë qindra orë pamje filmike duke përdorur teknologjinë për të identifikuar çdo individ të dhunshëm, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur fytyrën me maska. Aktualisht, turmat janë shpërndarë, policia ka nisur shoqërimet e para të personave të përfshirë në akte vandale dhe ka filluar pastrimi i rrugëve nga mbetjet e përplasjeve./rtsh