Inspektorati ndalon punimet në nëntë objekte ndërtimi, në Prishtinë dhe Ferizaj

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në nëntë objekte ndërtimi, tetë prej tyre në rajonin e Prishtinës dhe një në Ferizaj, pas konstatimit të parregullsive në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.

Sipas njoftimit të Inspektoratit, masat janë ndërmarrë gjatë inspektimeve në terren, ku janë evidentuar shkelje që lidhen me kushtet e sigurisë në vendin e punës, transmeton Zeri.info.

Punimet në këto objekte do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.

Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve t’i respektojnë kërkesat ligjore për siguri dhe shëndet në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve. /Zëri