Osmani: Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me administratën “Trump”, rrezik për sigurinë kombëtare
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, e strategjik me administratën “Trump” përbën një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh se kjo mungesë i lë hapësirë më të madhe Serbisë që të shtyjë përpara narrativat e saj të rrejshme kundër Kosovës. /Zëri
Postimi i plotë:
Marrëdhënia me Amerikën nuk është çështje protokolli, por çështje e sigurisë kombëtare.
Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të administratës Trump: presidentin Trump, sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike. Kjo mungesë, i lë hapësirë më të madhe Serbisë që të shtyjë përpara narrativat e saj të rrejshme kundër Kosovës.
Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me aleatin e saj jetik. Pa një partneritet të fortë politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as integrimi ynë euroatlantik, as mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, as mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë sonë nuk mund të garantohen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë që kërkojnë interesat tona kombëtare.