Jashari takon gjeneralin amerikan Lampe, diskutohet avancimi i partneritetit mes FSK-së dhe Gardës së Ajovës

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendës-adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Charles H. Lampe.

Sipas njoftimit të FSK-së, Jashari i ka uruar mirëseardhje gjeneralit amerikan, duke e përgëzuar edhe për marrjen e detyrës së re në Gardën Kombëtare të Ajovës.

Gjatë takimit, të dy gjeneralët kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të këtij partneriteti.

Në fokus të diskutimeve ishte Programi i Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), përmes të cilit synohet zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe avancimi i kapaciteteve profesionale.

Me këtë rast, gjenerallejtënant Jashari ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për zhvillimin e FSK-së.

“Gjeneral Jashari vlerësoi lart përkrahjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, Jashari ka theksuar rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Ajovës, duke e cilësuar atë si shembull të bashkëpunimit afatgjatë, besimit të ndërsjellë dhe përkushtimit të përbashkët.

Ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe rritjen e ndërveprueshmërisë së saj me partnerët amerikanë.