Aksident zinxhiror në Koshare, raportohet për shtatë të lënduar

Një aksident zinxhiror ka ndodhur në rrugën Ferizaj–Shtime, në dalje të fshatit Koshare.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se në aksident janë përfshirë pesë automjete, ndërsa sipas informatave fillestare, janë raportuar 6–7 persona të lënduar.

“Në aksident janë përfshirë pesë automjete, ndërsa sipas informatave fillestare, janë raportuar 6–7 persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet emergjente nga Shtimja, ndërsa është kërkuar edhe angazhimi i ekipit emergjent nga Ferizaj. Sipas informatave fillestare nga vendi i ngjarjes, deri më tani nuk është raportuar për lëndime serioze”.

Veseli njoftoi se për shkak të aksidentit, rruga Ferizaj–Shtime, në segmentin ku ka ndodhur aksidenti, fillimisht është bllokuar për qarkullim në të dy drejtimet, mirëpo më pas është liruar.

“Policia është duke u marrë me rastin, ndërsa për informata të tjera do të njoftoheni me kohë. Në ora 21:40 rruga është liruar plotësisht për qarkullim”, thuhet në konfirmim.