Dyshohet se lëshonte ilegalisht dokumente të Kosovës, ndalohet një person në Leposaviq
Foto: Laura Hasani

Dyshohet se lëshonte ilegalisht dokumente të Kosovës, ndalohet një person në Leposaviq

Kronika October 20, 2026 - 22:55

Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet R.M. në Leposaviq, nën dyshimin se është marrë kundërligjshëm me nxjerrjen e dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me regjistrimin civil.

Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (Njësia Rajonale Mitrovicë Veri), pas informatave të pranuara nga Sektori i Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Rajonale Policore në Mitrovicë Veri.

Sipas njoftimit, zyrtarët policorë kanë ushtruar kontroll në kioskën e të dyshuarit në Leposaviq, hapësirë të cilën ai e shfrytëzonte si servis për riparimin e telefonave celularë.

Gjatë bastisjes, me asistencën e njësisë së forenzikës rajonale, janë sekuestruar përkohësisht pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme relevante që do të shërbejnë si dëshmi materiale.

Lidhur me këtë rast janë intervistuar dy persona në cilësinë e dëshmitarëve, si dhe vetë i dyshuari në prani të avokatit mbrojtës.

Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa hetimet e mëtejshme po zhvillohen nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.