Hapet xhamia në Podujevë mes kundërshtimeve për imamin, Policia jep detaje
Xhamia në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë është hapur sot, më 20 tetor 2026, mes kundërshtimeve të një grupi qytetarësh lidhur me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë hapjes së xhamisë ka zbatuar një plan operativ për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke angazhuar njësitë përkatëse policore.
Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm qytetarë me qëndrime të ndryshme lidhur me emërimin e imamit, megjithatë nuk është regjistruar ndonjë incident që do të cenonte sigurinë publike.
Në orën 13:00 është bërë hapja e xhamisë dhe kanë filluar ritet fetare. Gjatë kësaj kohe, një grup personash ka shprehur kundërshtimet përmes thirrjeve dhe zhurmës verbale.
“Situata është menaxhuar pa nevojën e ndërhyrjes policore. Pas një periudhe të shkurtër, personat në fjalë janë larguar nga objekti, ndërsa ceremonitë fetare kanë vazhduar normalisht”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka vlerësuar bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se aktiviteti ka përfunduar pa incidente dhe pa pasoja për sigurinë publike.
Po ashtu, Policia ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, përfshirë ushtrimin e lirë të besimit fetar.