Fëmijët që s’i mbushin kurrë një vit

Në pamundësi për të gjetur punë, Vedat Latifi grumbullon shishe plastike e kanaçe në hapësirën rreth tre metra të gjerë poshtë banesës ku jeton.

Problemet shëndetësore me diabet dhe zemër kanë bërë që 40-vjeçari, baba i shtatë fëmijëve, ta ketë shitjen e tyre si opsion të vetëm mbijetese, përkrah skemës për ndihmë sociale dhe shtesave për fëmijë.

Në shtëpinë e tij, në lagjen e romëve në Mitrovicë të Jugut, mbeten shpeshherë pa rrymë pasi nuk arrijnë ta paguajnë faturën mujore. Kjo bëhet më problematike dimrit, kur s’kanë si të mbrohen nga i ftohti që futet brenda banesëstë vjetruar dhe sëmundjet që sjell ai.

Ai tregon se fëmijët e tij janë përballur me probleme të shumta shëndetësore, disa më serioze se të tjerat, por pa treguar saktësisht diagnozat e tyre.

Megjithatë, shumë foshnje në familje të tjera rome, ashkalike e egjiptiane nuk arrijnë t’u mbijetojnë kushteve të tilla të jetesës.

Sipas të dhënave të publikuara këtë vit në Anketën e Treguesve të Shumëfishtë (MICS) që tregon gjendjen e ekonomive familjare, 25 në çdo 1.000 foshnje të lindur në këto komunitete nuk i mbijetojnë vitit të parë të jetës. Ky nivel ishte pothuajse i njëjtë, 26, edhe në edicionin e kaluar të Anketës, të publikuar në vitin 2020.

“Diku po, diku jo”, thotë Latifi për Radion Evropa e Lirë, kur pyetet nëse arrin t’ua ofrojë fëmijëve të tij shërbimet e nevojshme shëndetësore. “Kur kemi, po ua bëjmë kushtet. Kur s’kemi…”, shton ai, duke rrudhur krahët.

Vedat Latifi

Të dhënat e MICS-it tregojnë se shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është edhe më e lartë te familjet më të varfra të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku arrin në 33 vdekje për 1.000 lindje, 20 më shumë se mesatarja në nivel vendi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tregon se familjet që përballen me varfëri humbin më shumë fëmijë pasi që e kanë më të vështirë qasjen në trajtim për sëmundjet e parandalueshme dhe të shërueshme, në ujë të pastër e ushqim të bollshëm.

Të dhëna të sakta për shkallën e varfërisë në këto komunitete në Kosovë nuk ka, megjithatë organizatat që merret me të drejtat e tyre thonë se shkalla e punësimit mbetet e ulët.

Sipas të dhënave të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), dy në tri gra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk kanë para të veta. Shkalla e ulët e punësimit ndërlidhet edhe me diskriminimin e përhapur ndaj këtyre komuniteteve., Një hulumtim i vitit 2022 i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal tregonte se mbi 25 për qind e bizneseve në Kosovë nuk do të ishin të gatshme të punësonin pjesëtarë të këtyre komuniteteve.

Të dhënat e Zyrës për Qeverisje të Mirë, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, tregon gjithashtu se, ndër vite, është shënuar rënie në aktivitetet që Qeveria kishte paraparë për nxitje të punësimit në këto komunitete përmes trajnimeve, nga 104 pjesëmarrës në vitin 2022 në 24 në vitin 2024.

Pse nuk ka ulje më të ndieshme të shkallës së vdekshmërisë?

Rreth 85 për qind e fëmijëve të lindur në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë jetojnë në kushte “joadekuate”, si vende të lagështa, të errëta, të kalbura apo pa qasje në tualet e dush, thuhet në një raport të Agjencisë së OKB-së për Fëmijët (UNICEF), ipublikuar para dy vjetëve.

Sipas Agjencisë së Statistika të Kosovës, fëmijët në këto komunitete përballen edhe me kequshqyerje në nivele më të larta sesa meastarja në vend.

Si problem shfaqet edhe shkalla e ulët e vaksinimit. Pothuajse gjysma e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk marrin vaksinat e parapara nga Ministria e Shëndetësisë për dy vjetët e parë të jetës, si formë e luftimit të sëmundjeve të parandalueshme.

Këto pabarazi i ka identifikuar edhe vetë Qeveria e Kosovës, e cila në vitin 2022 pati miratuar një strategji për avancimin e të drejtave komuniteteve rom dhe ashkali për vitet 2022-2026. Komuniteti egjiptian nuk ishte përfshirë, me kërkese të vetë përfaqësuesve të tyre.

Kjo strategji trajtonte shëndetin, arsimin, punësimin, mirëqenien sociale, banimin dhe diskriminimin si fusha për të cilat duhet të ndërmerreshin masa konkrete për të sjellë ndryshim. Masat përfshinin aktivitete si vizita në shtëpi, sesione informuese për prindërit dhe vaksinim përmes ekipeve mobile.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Kosovës për aktivitetet e realizuara dhe sfidat në arritjen e efekteve që synonin, por nuk ka marrë përgjigje.

Mungesa e qasjes në shërbime shëndetësore qoftë për shkak të kushteve socio-ekonomike, qoftë për shkak të mungesës së informimit, e bën veçanërisht të rëndësishme informimin e prindërve për kujdesin ndaj fëmijëve përmes vizitave shtëpiake.

Megjithatë, raporti i Zyrës për Qeverisje të Mirë, për zbatimin e kësaj strategjie tregon se numri i përfituesve nga vizitat shtëpiake te komunitetet rom dhe ashkali për nëna dhe fëmijë kishte rënë nga 3.288 sa ishte në vitin 2022 në 1.242 në vitin 2024. Të dhëna të përditësuarapublike nuk ka.

Këtë zbrazëti përpiqen ta mbushin organizatat joqeveritare. Mirnie Gojnovci, e angazhuar si mami dhe koordinatore në “klasat për nëna” në qendrën që merret me të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, The Ideas Partnership, në Fushë Kosovë, ka nëntë vjet që e adreson këtë problem.

Çdo të shtunë, Gojnovci ndihmon gra me këshilla për shëndetin gjatë shtatzënisë, procesin e lindjes dhe shëndetin pas lindjes. Ajo thotë se ndër vite është rritur interesimi i prindërve për kujdesin shëndetësor, por se disa probleme ende nuk janë zgjidhur.

“Kushtet e vështira sociale dhe ekonomike mund të ndikojnë [në shkallën e vdekshmërisë]. Mund të ndodhë që gruaja të lindë në shtëpi, të mos ketë njohuri të mjaftueshme”, thotë ajo për REL, duke shtuar se megjithatë nuk ka bërë ndonjë analizë për shkaqet prapa shkallës më të lartë të vdekshmërisë.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se ka një lidhje mes shkallës së arsimimit të nënave dhe gjasave që një foshnje t’i mbijetojë vitit të parë të jetës.

Shumë grave të këtyre komuniteteve nuk u mundësohet vijimi i arsimit të rregullt për arsye të ndryshme, si presioni familjar, kushtet socio-ekonomike apo martesat e hershme. Sipas ASK-së, vetëm 27 për qind e fëmijëve të këtyre komuniteteve e vazhdojnë shkollimin përtej nëntë vjetëve të detyrueshme.

Gojnovci tregon se ka gra që nuk arrijnë t’i ndjekin as “klasat për nënat” pasi që e kanë të pamundur të udhëtojnë deri te qendrat që e ofrojnë këtë shërbim.

Të dhënat e ASK-së tregojnë gjithashtu se shumë gra rome, ashkalike dhe egjiptiane nuk i bëjnë kontrollet e nevojshme gjatë shtatzënisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të paktën tetë kontrolle për shtatzënitë e rregullta e pa rreziqe.

Në vetë strategjinë e qeverisë për avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve thuhet se mungesa e transportit dhe mungesa e stafit mjekësor e ekipeve mobile janë ndër pengesat kryesore për qasjen në shërbimet shëndetësore për këto komunitete.

Për këtë problem nuk kanë pranuar të flasin nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, megjithë tentimet e Radios Evropa e Lirë.

Bujar Vitija, kryeredaktori Gazetës Shneta e që ka raportuar për problemin e shkallës së vdekshmërisë te fëmijët e këtyre komuniteteve edhe në të kaluarën, thotë se përveç qasjes në shërbime shëndetësore, edhe në rastet kur kanë qasje në to, institucionet ku trajtohen nuk i informojnë plotësisht. .

“Nuk paralajmërohen për simptomat, dhe rrezikun nëse nuk trajtohen me kohë. Nuk i kuptojnë diagnozat dhe nuk ju jepen shpjegimet e nevojshme”, tregon Vitija për REL.

Ai beson se institucionet kanë në duar masa që do të ndikonin në uljen e kësaj shkalle të vdekshmërisë dhe veçon si shembull transportin neonatal në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ky shërbim u mundëson foshnjave të porsalindura, veçanërisht atyre të lindura para kohe, të transportohen në kushte të specializuara. Deri rreth dy vjet më parë, ky shërbim nuk ishte funksional, ndonëse përpjekjet për krijimin e sistemit të specializuar për transportin e foshnjave të porsalindura në Kosovë kishin nisur qysh një dekadë më parë.

Por, sipas tij, ky shërbim ende nuk shfrytëzohet më kapacitet të plotë.

“Unë konsideroj se ky transport duhet të funksionalizohet me kapacitet të plotë dhe jo vetëm për raste me indikacione të rënda”, thotë Vitija.

Fotografi ilustruese. Një foshnjë në Klinikën e Neonatologjisë.

Të gjitha këto çështje adresohen si probleme në strategjinë qeveritare për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, mirëpo masat e ndërmarra nuk kanë arritur të ndryshojnë dukshëm gjendjen në realitet.

Për këtë problem nuk kanë pranuar të flasin disa organizata që avokojnë për të drejtat e fëmijëve dhe të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian pasi kanë thënë që nuk kanë projekte që ndërlidhen me to.

E të gjitha këto rrethana kanë lënë shumë prindër romë, ashkalinj e egjiptianë në Kosovë të përballen me vështirësitë e rritjes së foshnjeve në kushte joadekuate varfërie, në pamundësi për të gjetur punë. /REL