OVL UÇK-ja reagon ndaj Trendafilovës: T’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit është arrogancë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë profesionalizmi.
Në reagim, OVL UÇK-ja ka kundërshtuar pretendimet se një gjykatë mund të zgjedhë vetë ligjin që rregullon veprimtarinë e saj, duke theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi, transmeton Zeri.info.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova”, thuhet në reagim.
Organizata ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe, sipas saj, nuk mund të pretendojnë pushtet mbi institucionin që i themeloi.
“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim.
OVL UÇK-ja ka mbrojtur gjithashtu të drejtën për të kritikuar vendimet gjyqësore, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga kjo e drejtë.
“Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se lufta çlirimtare ishte e drejtë”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Organizata ka theksuar se liria dhe shtetësia e Kosovës qëndrojnë mbi sakrificën e atyre që luftuan kundër gjenocidit, ndërsa ka kritikuar Dhomat e Specializuara për mënyrën sesi e kanë ushtruar mandatin.
“Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, përfundohet në reagimin e OVL UÇK-së. /Zëri