Çitaku reagon ndaj Trendafilovës: Padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, duke e kritikuar për mungesë transparence dhe llogaridhënieje lidhur me punën e kësaj gjykate.

Çitaku ka thënë se një videoadresim pa mundësinë e parashtrimit të pyetjeve nga gazetarët nuk i adreson shqetësimet e ngritura ndër vite për proceset gjyqësore në Hagë, transmeton Zeri.info.

“Znj. Trendafilova, pas vitesh heshtjeje ndaj shqetësimeve tona, një videoadresim pa pyetje nuk i mbulon padrejtësitë e kësaj gjykate dhe as ju shkarkon nga përgjegjësia”, shkroi Çitaku.

Ajo ka pretenduar se nën drejtimin e Trendafilovës është cenuar besimi në drejtësi, duke përmendur, siç i ka cilësuar, mungesën e transparencës, llogaridhënien e pamjaftueshme dhe mangësitë në mbikëqyrje.

Çitaku ka kërkuar përgjigje konkrete edhe për shqetësimet që, sipas saj, ekspertët ndërkombëtarë kanë ngritur lidhur me barazinë e palëve, të drejtat e njeriut dhe monitorimin e pavarur të proceseve.

“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka deklaruar ajo.

Nënkryetarja e PDK-së i ka bërë thirrje Trendafilovës që të dalë përballë gazetarëve dhe t'u përgjigjet pyetjeve lidhur me drejtimin e gjykatës.

“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë”, shkroi Çitaku.

Ajo ka theksuar se kritikat ndaj Dhomave të Specializuara nuk duhet të cilësohen si dezinformim pa u dhënë përgjigje shqetësimeve të ngritura.

Në fund, Çitaku ka ritheksuar mbështetjen për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e apelimit, duke thënë se Kosova do ta kundërshtojë atë që e konsideron padrejtësi përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.

“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë”, tha në fund ajo. /Zëri